Krijimi i një lidhjeje familjare më të fortë
Të udhëtosh me vogëlushin tënd
Po përgatitesh për udhëtimin tënd të parë familjar? Me rrëmujën e madhe që shkakton kujdesi i përditshëm për një fëmijë, udhëtimi me vogëlushin tënd mund të duket pak dekurajues. Për fat të mirë, marrja në konsideratë e disa këshillave dhe trukeve të thjeshta, mund të zvogëlojë vërtet stresin. Për shembull, lëre vogëlushin të vendosë vetë ritmin, dhe përpiqu ta planifikosh udhëtimin në mënyrë të tillë që t'i përmbahesh sa më shumë rutinës tënde.
FAMILJE NË UDHËTIM
Nëse dëshiron të kënaqesh në maksimum me familjen tënde duke udhëtuar, prit deri në njëfarë masë që vogëlushi tënd të vendosë orarin dhe ritmin e tij. Suksesi qëndron tek përgatitja, ndaj planifiko gjithçka para kohe deri në detaje, duke menduar për paketimin e ushqimit, veshjeve dhe pajisjeve të duhura. Mes tyre duhet të jetë gjithmonë një lloj pakete e ndihmës së shpejtë. Këtu janë disa këshilla për të filluar:
- Nëse e ushqen me gji, atëherë ushqimi i vogëlushit tënd është i garantuar! Por mos harro të marrësh më shumë ujë me vete, sepse ushqyerja me gji rrit nevojën për lëngje dhe udhëtimet mund të ta shtojnë etjen. Nëse përdor formulë, përdor ujë në shishe për të përgatitur biberonin e vogëlushit - ose më mirë akoma, investo në disa paketime me formulë të gatshme për udhëtim.
- Pecetat e lagura për të porsalindur janë një element thelbësor i udhëtimit. Ato janë fantastike jo vetëm për ndërrimin e pelenave, por janë një ndihmë e vërtetë për të mbajtur të pastra duart dhe fytyrat e të gjithëve, duke reduktuar rrezikun e kontaktit me mikrobet dhe transmetimit të infeksionit.
- Nëse përdor një tavolinë ndërrimi në tualet publik, pecetat janë një ndihmë e madhe në pastrimin e sipërfaqeve para dhe pasi të ndërrosh vogëlushin.
- Në moshën tre muajshe, vogëlushi yt ndoshta fle ende në një marsup ose në një krevat lëkundës, i cili mund të paketohet lehtësisht dhe të merret me vete në udhëtim. Por nëse ai tashmë fle në një krevat fëmijësh, do të ishte mirë të përpiqesh ta mësosh të flejë në një krevat fëmijësh portativ, në ditët para udhëtimit.
- Planifiko shumë pushime dhe ndalesa gjatë itinerarit, për vete dhe për vogëlushin.
- Nuk duhet ta marrësh vogëlushin në një udhëtim me varkë. Udhëtimi në ujë mund të presë derisa ai të rritet mjaftueshëm për të veshur siç duhet një jelek shpëtimi. Kur të vijë koha, ia vlen të investosh në një jelek shpëtimi për vogëlushin tënd, sepse jo gjithmonë do të gjesh me qira një të përshtatshëm.
Nëse ke ndonjë shqetësim në lidhje me udhëtimin me vogëlushin tënd, pyet mjekun e familjes ose specialistin për këshilla. Shijoje këtë eksperiencë të re dhe nëse janë pushimet e para për vogëlushin, mos harro të bësh sa më shumë foto për albumin familjar.